Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përuroi të enjten në Panama shtatoren e Shën Terezës, të punuar nga skulptori kosovar Bashkim Beqiri, në një ceremoni të organizuar bashkë me ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me Kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa.
Presidentja Osmani theksoi se ndihet e lumtur që Panamaja po e monumentalizon kujtesën për Shën Terezën.
“Kjo është edhe një mirënjohje për punën e saj, për vlerat e saj e për madhështinë e personalitetit të saj”, ka thënë Osmani.
Ndër të tjera, Osmani u shpreh se si bashkëkombës të saj janë krenarë me shëmbëlltyrën e Shën Terezës.
Ajo po ashtu i ka shprehur mirënjohje popullit panamez për respektin e treguar me të gjitha nderet që mund t’i ofrohen një të shenjte.