Kampanja për pastrimin e Gjilanit “Green & Clean” ka vazhduar të premten në lagjet Iliria e Qendra, ndërkaq në oborrin e shkollës “Thimi Mitko” janë mbjellë drunj dekorativë.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i hedhin mbeturinat vend e pa vend, sikurse që i ka ftuar që t’i bashkohen kësaj kampanje.
“Qëllimi i kampanjës, përpos këtyre aktiviteteve të pastrimit të ambientit, është që të përçojmë mesazhe edukuese për ruajtjen e ambientit. Qëndrueshmëria e këtyre aktiviteteve do të jetë 365 ditë”, ka thënë nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku.
Aksioni për pastrimin e ambientit do të vazhdojë të dielën (8 maj) në Përlepnicë, ku janë paraparë këto aktivitete:
08:00 – Hiking (Klubi Alpin Gjilani)
10:00 – Elimini i deponisë ilegale Përlepnicë
11:00 – Pastrimi i fshatit Përlepnicë
13:00 – Pastrimi i shkollës fillore (Skënderbeu )
15:00 – Pastrimi i Pendës së Përlepnicës