Në muajin qershor pritet të përfundojnë kontratat për stafin mbështetës të Ministrisë së Shëndetësisë që është angazhuar në kuadër të pandemisë.
Stafi mbështetës ku përfshihen mjekë, infermierë, teknikë dhe të tjerë kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm në të gjitha qendrat spitalore në Kosovë, ndihmë e cila është vërejtur edhe me përmirësimin e kushteve dhe trajtimit spitalor në vend.
MSH ka thënë se fati i punëtorëve do të varet nga kërkesa e Shërbimit Spitalor të Kosovës.
Të njëjtit kanë konfirmuar se janë duke përgatitur kërkesën për Ministrinë e Shëndetësisë që kontratat tu vazhdohen ngase ata janë shumë të nevojshëm në situatën aktuale.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës është duke përgatitur shkresën me arsyeshmëri për Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me nevojën që kanë klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme për stafin e angazhuar nga Ministria.Ky staf ka kryer punë të mirë dhe nevojat për klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme është e madhe, andaj janë të nevojshëm edhe mëtej për të kryer shërbime shëndetësore për pacientët” thuhet në kërkesën e SHSKUK-së, dhënë për Indeksonline.