Klubi i Volejbollit të Femrave Drita që ditë më parë e kishte fituar Kupën e Kosovës për herë të gjashtë në histori, bëri që Përparim Rama, t’iu bashkëngjitej vashave nga Gjilani në festë, raporton Paparaci.
Pikërisht, kjo prezencë e të parit të kryeqytetit shtyu që asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje t’ia tërheq vërejtjen atij.
Ermal Osmani, ndonëse tha se nuk është kundër që t’ia uroj fitoren ekipeve tjera, këshilloi kryetarin Rama që mos të dalë në fotografi në momente gëzimi me ekipet jashtë Prishtinës.
“Padyshim që u pa që të gjithë jemi për subvencionimin e klubeve të Prishtinës. Fjalën e mora për me ia tërheq vërejtjen kryetarit që mos të festoj me ekipe të tjera të qyteteve të tjera, sepse sot po ndahen subvencionet për ekipet e Prishtinës, për me i mujtë qato ekipe që ju kryetar po festoni me ta”, tha ai.
“Unë nuk jam për me i urrejt, apo mos me ia uru fitoren, por jam kundër me dalë në foto në çaste gëzimi, e sidomos me dalë në foto në parket, thua ti je kapiten i atij ekipi”, shtoi ai në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Pas kësaj deklarate, i pari i Prishtinës tha se Drita është pjesë e jona. Shtoi se ai i ka dajtë nga Gjilani dhe duke qeshur u shpreh se “nuk bon me ia prishë dajve”.
“Siç e dini unë jam kryetar i kryeqytetit të Kosovës. Edhe ata janë pjesë e jona, nuk kanë lujtë kundër Prishtinës por ndaj tjetërkujt. Edhe, i kam dajtë prej Gilanit, s’bon me ia prishë dajve. Gjithmonë Prishtina në zemër, deri në vdekje. Faleminderit”, u deklarua Rama.
Më 17 prill, vashat gjilanase triumfuan në finale kundër KV Fer Volley në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.
Ndër të pranishmit në këtë ndeshje dhe në ceremoninë e ndarjes së trofeut ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama madje u pa në disa pamje duke festuar trofeun me volejbollistet dhe trajnerin e klubit nga Gjilani.
KV Drita është ndër klubet më të suksesshme në Kosovë në konkurrencën e femrave.
Megjithatë, asambleja Komunale e Prishtinës është duke e mbajtur mbledhjen e saj të katërt me radhë.
Aktualisht, janë duke diskutuar për subvencionimin e klubeve sportive nga kryeqyteti.