Aktivisti Shkëlzen Gashi i quan “joserioze” takimet që po zhvillon kryeministri Albin Kurti në SHBA. Thotë se edhe po të kishte marrëveshje të gatshme me këto kompani, Kurti s’do të ishte e nevojshme të “humbiste kohë” për takime të tilla, pasi këto punë do të mund t’i kryenin ministrat e dikastereve përkatëse.
“Dy javë me taku kompani…Ti veç po shkon e po ju thu, na jemi një vend ku ju mundeni me ardh e me investu”, tha Gashi në emisionin Pressing në T7.
“Me këto kompanitë që po takohet kryeministri po më duket shumë jo serioze, edhe nëse ti kishe pasur marrëveshje të gatshme, diqysh s’po me doket që ish dashtë kryeministri me shku atje. Atë ish dasht me bo ministritë përkatëse”, shtoi ai.
Gashi thotë se deri më tani, Kurti ka dështuar të realizojë takime të nivelit të lartë në Amerikë.
“Nëse nuk ka takime të nivelit të lartë dhe nëse ka takime qeshtu veç me kompani ku nuk po nënshkruhet asgjë….”, vijoi ai.
Gashi thotë Kurti me gjithë problemet që ka në Kosovë, s’do të duhej të qëndronte aq gjatë jashtë vendit, derisa thotë se ai duhej të kishte takime të tilla si me Anthony Blinken.
“Me sekretarin e Shtetit, Blinkenin, edhe jo veç me i taku, por me i taku për diçka ata, kjo veç me dalë në fotografi është palidhje”, thotë Gashi.
“Edhe plus dy javë. Qysh po ka kohë kryeministri me shku dy javë me gjithë këto probleme që i ka Kosova brenda, në secilën fushë”, theksoi ai.