Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu mori pjesë në tryezë diskutimi “Në pritje të Opinionit të Komisionit të Venecias për Vetingun në Sistemin e Drejtësisë” organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Tryeza mblodhi përfaqësuesit e institucioneve kryesore dhe përfaqësues nga shoqëria civile ku u diskutua mbi procesin e vetingut në Kosovë dhe modalitetin që do të mund të prodhonte më së miri rezultatet e dëshiruara të një sistemi për drejtësi efikase, profesionale dhe të paanshëm.
Ministrja Haxhiu informoi mbi hapat e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë dhe mbi punën e bërë nga Grupi Punues që hartoi Koncept Dokumentin mbi Zhvillimin e Procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë dhe draftin e parë të amendamenteve kushtetuese.
Haxhiu konfirmoi vullnetin dhe angazhimin drejt finalizimit të kësaj nisme të rëndësisë të veçantë për secilin qytetar të Republikës.