Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar projektligjin e sjellë nga ministri i Financave Hekuran Murati që ndryshon dhe plotëson ligjet që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.
Ky është ndër ligjet më absurde që është shkruar deri më tani. Mënyra si e keni shkruar këtë ligj e targetoni vetëm një pjesë të sektorit privat pra nuk arrihet qëllimi i këtij ligji për barazi sociale. Ne nuk mund të themi se i kemi konsumu diskutimet dhe po lëvizim përpara pa këshillin ekonomik-social, qeveria s’mund të lëvizë pa një konsultim me komunitetin e biznesit. Këta janë partnerët socialë që qeveria domosdo duhet të komunikojë dhe t’i bëjë pjesë e vendimmarrjes. Në sistem demokratik kërkohet arritja e dakordimit dhe jo betonim në pozicione të caktuara”, tha Hoti.
Ish-ministri i Financave tha poashtu se pensioni i veteranit s’mund të shkëputet nga ligji për rritjen e pagës minimale.
“Një veteran i luftës që merr pensionin e veteranit të luftës nuk mund të punojë, ai pension është burim i të ardhurave dhe rrjedhimisht është lidhë me pagën minimale dhe s’mund të shkëputet kjo, s’mundesh me thënë që e rrisim pagën minimale por ju qëndroni aty ku jeni”, u shpreh Hoti.
Ai u shpreh kundër diskrecionit të qeverisë që të vendosë vet për rritjen e pagës minimale pa Këshillin Ekonomik-Social.
“Qeveria e ka diskrecionin e plotë për marrjen e vendimit për rritjen e pagës minimale pa Këshillin Ekonomik-Social. S’mundet qeveria me pasë diskrecion të plotë”, tha Hoti.