Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar që të ketë marrëveshje për targat e cila nuk u arrit as në takimin e sontëm mes kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimi dhe atij serb Petar Petkoviq në Bruksel.
Kurti është i bindur se pala kosovare ka qenë konstruktive, derisa thotë se i takon emisarit të BE-së të tregojë publikisht se cila palë s’ka qenë konstruktive dhe pse nuk është arritur marrëveshja që ishte afër finalizimit.
“Unë nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, por besoj që ndërmjetësuesi [Mirosllav] Lajçak do ta shpjegojë publikisht se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema, e di që kryenegociatori jonë, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ, por qartazi Beogradi nuk është i interesuar të ketë marrëveshje. Ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit/lehtësuesit që ta sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, ka deklaruar ai për televizionin publik nga Iowa e ShBA-së./klankosova