Opozita ka kërkuar që qytetarëve t’u kthehen menjëherë mjetet me i paguan me shtrenjtim faturat e fundit të energjiwsë elektrike. Pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar të mërkurën vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, partitë opozitare kanë ritheksuar qëndrimet e tyre në seancën e Kuvendit, raporton Gazeta Express.
“Kërkojmë që urgjentisht qytetearëve t’iu kthehen mjetet që u janë vjedhur”, tha deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.
Ai kërkoi që llogari ligjore dhe politike, si dhe “të shkarkohet bordi i ZRRE-së”.
“Cili do të jetë veprimi i kthimit të parave te qytetarët?”, pyeti Mustafa.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha ndërkaq se “një vepër e tillë duhet të ndiqet penalisht”.
Shkarkimin e bordit të ZRRE-së e kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Do të kemi në fuqi tarifat e vjetra të energjisë dhe ne si deputetë nuk duhet të rrimë duarkryq karshi kësaj situate”.
“Këta njerëz tashmë me vendim të gjykatës është vërtetu se janë në proces e sipër që të shkaktojnë një dëm të madh”, tha ai.
“Këta njerëz i kanë dëmtuar më shumë se 450 mijë familje. Kjo nuk duhet të tolerohet”, theksoi Tahiri.
Apeli në aktvendimin e publikuar dje thotë se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.
I gjithë procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.Kështu, më 9 prill Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe këtë në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.