Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se kjo komunë është zgjedhur në mesin e tetë komunave partnere të programit 5-vjeçar me USAID-in “Integriteti i Komunave të Kosovës”.
Kryetari Hyseni, pas takimit me përfaqësues të këtij programi, ka thënë se ky aktivitet adreson sfidat në lidhje me korrupsionin dhe ofrimin e shërbimeve me cilësi të dobët nga Qeveria e Kosovës duke përmirësuar menaxhimin e financave publike (MFP), me fokus në prokurimin komunal dhe duke përforcuar mekanizmat e llogaridhënies brenda dhe jashtë qeverisë përmes shoqërisë civile, sektorit privat dhe mediave.
Në këtë takim specialisti i pushtetit vendor dhe administratës publike, Jeton Cana, ka shpalosur programin dhe objektivat e projektit i cili do të ofrojë asistencë direkte në institucionet komunale.