Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Serbia ka ngelur pas pasi nuk i pranon krimet që i ka kryer në Kosovë, teksa shtoi se ajo refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se presidenti amerikan, Joe Biden e ka formuluar shumë mirë çështjen se duhet të kemi normalizim të plotë, përmes një marrëveshje ligjërisht obligime, e cila në qendër e ka njohjen reciproke.
“Unë jam i gatshëm për njohje reciproke, Serbia nuk është. Nuk ka kurrfarë faji asnjë instancë e shtetit të pavarur të Kosovës për faktin që nuk e kemi suksesin e pretenduar në dialogun me Serbinë. Qenia e Kosovës nuk është problematike. Raportin me Serbinë nuk e kemi normal, duam ta normalizojmë. Për këtë, Serbia duhet të ndryshojë”, shtoi shefi i qeverisë në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Në pyetjen rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, kreu i LVV-së tha se kjo nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë u shpreh se mund të ketë asociacion, por jo mbi baza etnike.
“Ne jemi të gatshëm, kreativ e konstruktiv. Ne dëshirojmë që të ketë normalizim. Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses. Ajo ka konstatuar që 23 nene të Kushtetuese, praktikisht shkelën. Mund të ketë Asociacion të Komunave, por jo mbi baza etnike”.
“Në mënyrën se si është frymën dhe germën e saj, jo. Në qendër të marrëveshjes për normalizim, s’është asociacioni. S’ka asnjë zyrtarë amerikanë që e thotë këtë. Nuk kemi nevojë ta heqim nga qendra njohjen reciproke, e ta sjellim asociacionin”, theksoi tutje Kurti.