Forumi për Transparencë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, udhëhequr nga Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kryetare, mbajti sot tryezë diskutimi me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, lidhur me temën “Parlamenti i hapur: Pikëpamjet e OSHC-ve për transparencën dhe pritshmëritë nga Kuvendi”.
Kryetarja Kryeziu Hyseni para pjesëmarrësve në këtë tryezë paraqiti punën e Forumit për Transparencë Parlamentare dhe angazhimet për të forcuar më tej qasjen e publikut në jetën parlamentare dhe në vendimmarrje, si dhe hapjen e mëtejme të Kuvendit karshi mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi.
Lidhur me transparencën e Kuvendit të Kosovës, ajo theksoi se angazhimi dhe puna në këtë institucion e ka bërë atë ndër institucionet më transparente jo vetëm në vend, por edhe në rajon.
Kryetarja e Forumit foli gjithashtu edhe për procesin e hartimit të Planit të Veprimit për Kuvend të Hapur dhe Transparent, për 5 vitet e ardhshme, duke vlerësuar se përveç grupit punues dhe Forumit për Transparencë, në këtë proces do të ketë përfshirje të gjerë të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë relevantë.
Drejtoresha e NDI-së në Kosovë, Nancy Soderberg, tha se kjo organizatë e ka ndihmuar Kuvendin e Kosovës me shumë projekte, përfshirë edhe atë për transparencën. Ajo theksoi se sa më shumë që dëgjohet zëri i shoqërisë civile, aq më i fuqishëm do të jetë Kuvendi i Kosovës. Po ashtu, Soderberg vlerësoi se Kuvendi ka përgatitur një rregullore të mirë të punës, duke bërë thirrje që ajo të miratohet.
“Uashingtoni mburret me punën që është bërë këtu”, theksoi Soderberg.
Në anën tjetër edhe pjesëmarrës të tjerë në këtë tryezë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si dhe të pranishëm të tjerë, diskutuan gjerësisht për rolin e Kuvendit, punën e tij, transparencën, si dhe mundësinë e përfshirjes sa më të madhe të shoqërisë civile në punën e Kuvendit.
U paraqitën po ashtu propozime konkrete për të ngritur më tej nivelin e transparencës parlamentare dhe për të rritur angazhimin e shoqërisë civile.
Nga përfaqësues të Kuvendit, anëtarë të Forumit, u potencua niveli i lartë i transparencës që e karakterizon Kuvendin e Kosovës, duke e radhitur atë ndër parlamentet më të hapura dhe transparente në rajon dhe më gjerë, por gjithashtu u theksua gatishmëria për të forcuar më tej partneritetin me shoqërinë civile, me qëllim të arritjes së synimeve të përbashkëta.