Të mërkurën, Komisioni për Buxhet e Transfere do ta shqyrtojë të parim Projektligjin për Fondet Pensionale të Kosovë, përmes të cilit ndryshim, qytetarëve do t’u mundësohej tërheqja edhe e një pjese tjetër të mjeteve nga Trusti. Për këtë, kundër është partia në pushtet derisa ka mbështetje nga opozita dhe disa deputetë të komuniteteve.
Që nga 27 prilli në kutitë postare të deputetëve u ka shkuar edhe Projektligji për Fondet Pensionale, që, me iniciativë të PDK-së, po synohet të ndryshohet në mënyrë që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja edhe e një pjese tjetër e mjeteve nga Trusti.
E shqyrtimi i këtij Projektligji pritet të bëhet në Komisionin për Buxhet të mërkurën, derisa iniciuesi i këtij ndryshimi, Bekim Haxhiu, thotë se ata do të kërkojnë në mbledhjen e radhës së Kryesisë që të procedohet për seancë plenare gjatë javës.
Ai shprehet i bindur se ka mbështetje edhe nga deputetë të partisë në pushtet e edhe nga komunitetet. Por, Vetëvendosje ndryshe nga tri partitë opozitare që njëzëri janë për këtë ndryshim, ata janë kundër tërheqjes së sërishme të mjeteve nga Trusti derisa atë ndarë në vendime janë edhe grupi multietnik.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se tërheqja e parave tash nga Trusti është varfërim i qytetarëve në pleqëri.
“Tërheqja e Trustit nuk i ndihmon qytetarët që kanë më së shumti nevojë. Në anën tjetër, ne kemi hartuar shtesa e ndihmesa për qytetarët që kanë më së shumti nevojë. Institucioni i Trustit është prej institucioneve të para në Kosovë, që daton prej vitit 2001. Nga atëherë është bërë e qartë se këto para janë para të cilat planifikohen që të përdoren nga qytetarët në kohën e pensionimit. Sado nevojë e momentit, tërheqja e parave të Trustit tani është varfërim i qytetarëve në pleqëri. Ne kemi ofruar mundësi të tjera duke ruajtur institucionin e Trustit. Kemi ndarë 100 euro për punëtorët e sektorit publik dhe të gjithë pensionmarrësit, sikurse edhe për punëtorët e sektorit privat dhe studentë. Nga pakoja mbështetëse prej 100 milionë përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë”, deklaroi Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Ndërkohë një grup qytetarësh përmes rrjeteve sociale kanë ftuar protestë paqësore para Qeverisë për të enjten nga ora 10:00, me kërkesën për tërheqjen e mjeteve nga Trusti./rtklive/