Një ngjarje mjaft e hidhur ka ndodhur në fshatin Mogillë të Kllokotit, ku një 16-vjeçare dyshohet se është dhunuar dhe ka mbetur shtatzënë para shumë muajsh, me ç’rast ka sjellur në jetë një fëmijë.
Burimet e Sinjalit brenda Spitalit të Gjilanit, ku e mitura është dërguar për të lindur, kanë bërë të ditur se Policia është njoftuar sot për rastin dhe kanë marrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore.
Si ndodhi rasti dhe kush dyshohet se e dhunoi të miturën?
Sipas të njëjtave burime, vajza ka lindur gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që Policia ka marrë në pyetje nënën e saj, në mënyrë që të zbardhen rrethanat se si ka ndodhur kjo ngjarje e trishtë.
Burimet nga spitali thonë për Sinjalin se sipas nënës, foshnja që e ka lindur vajza e saj është jashtëmartesor dhe babai i fëmijës është një 20-vjeçar me prejardhje nga Shqipëria, por që jeton dhe punon në fshatin Mogillë.
Kjo deklaratë e nënës ka bërë që Policia të vihet menjëherë në lëvizje dhe të shoqërojë të dyshuarin në stacion policor, për t’u përballur me denoncimin ndaj tij. Aty, siç mëson Sinjali, i dyshuari (emër i njohur për redaksinë), e ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën e mitur dhe se fëmija që ka lindur ajo, nuk është i tij.
Pas marrjes së deklaratave nga personat e përfshirë në rast, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe më pas të merren veprime hetimore për mbledhjen e informacioneve që provojnë përfshirjen e të dyshuarit në rast.