Në prag të ndeshjes finale në Kupën e Kosovës, ndërmjet Dritës dhe Llapit, kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka shprehur optimizmin për skuadrën e tij.
Ai në një konferencë për medie, ka thënë se skuadra është e plotë dhe se synojnë fitimin e Kupës, raporton Ekonomia Online. Trajneri Nuhiu theksoi se sa motivuese është fitorja në finalen e Kupës, për të cilën tha se skuadra është përgatitur dhe e synon atë.
“Është vetëm një ndeshje futbolli të cilën e jemi përgatitur si çdo ndeshje tjetër. Kemi përballë një skuadër të shkëlqyer gjithashtu do fokusohemi tek cilësitë dhe dobësitë e skuadrës në përballje. Kam besim tek skuadra imë dhe më gëzon fakti qe skuadra është e plotë dhe nuk kemi asnjë pengesë, janë gati të dalin në fushë. Është një mundësi për të gjithë neve të shkruajmë historinë. Futbollistët mendoj se e kanë merituar ta kenë këtë trofe”, tha ai.
I pyetur se në cilën pozitë do të qëndrojë lojtari Muja në ndeshjen e nesërme ai tha se kjo do zbulohet vetëm nesër.
“Arbnor Muja është futbollist cilësor dhe nesër e kam vendosur në cilin vend dhe atë do ta zbulojmë nesër. Llapi është skuadër që shëno shumë. Kanë shënuar shumë këtë vit dhe duhet të kemi shumë kujdes. Ne si skuadër kemi arrit objektivat edhe pse kemi luftuar për titull e kemi dit për luhatjet tona. Është thjeshtë një trofe që e duam të gjithë. Na motivon fakti që 20 vite s’ka qenë tek ne dhe kjo na motivon shumë”, tha ai.
Optimist për ndeshjen e nesërme u shpreh edhe kapiteni i skuadrës, Ardian Limani. Ai tha se fitorja eventuale e finales iu dedikohet tifozëve, që sipas tij e kanë pritur me vite të tëra.
“Çdo trofe është i rëndësishëm për lojtar e lërë për kapiten. Mirë e di edhe vuajtjen e tifozëve që e presin me vite këtë trofe dhe mezi presim me padurim. Mendoj që jemi të gatshëm dhe 100 për qind për t’u përballur me Llapin. E kemi obligim qe ta menaxhojmë stresin e lojës dhe t’i shpërblejmë tifozët tanë me trofe”, ka deklaruar ai.