Kosova është përballur me bilanc tragjik në dy ditët e fundit. Veç brenda kësaj periudhe, janë vrarë tre persona.
Këto raste kanë ndodhur në Mitrovicë të Veriut dhe në Ferizaj.
Rasti i djeshëm, ai në Mitrovicë të Veriut, kishte të bënte me një konflikt në familje ku një person dyshohet se vrau babain dhe vëllain e tij.
Ndërsa rasti i sotëm, ai në Ferizaj, përfshiu një person të moshës 30 vjeçare i cili vrau një person tjetër të moshës së njëjtë.
Për rastin në Mitrovicë të Veriut, policia në raportin e saj ka treguar se fillimisht ka ndodhur një rrahje mes dy vëllezërve dhe babait, ku janë përdorur edhe thikat.
“Raportohet se ka ndodhur një rrahje në mes dy vëllezërve dhe babait, ku janë përdorur edhe mjete të mprehta. Si pasojë, babai dhe njëri djalë kanë mbetur të vdekur, ndërsa djali tjetër është arrestuar. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin e PK-së.
Ndërsa për rastin që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Ferizaj, policia ka njoftuar se personi me inicialet Q.J i moshës 30 vjeçare ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H, po ashtu i moshës 30 vjeçare, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
“Me daten 28.05.2022 rreth orës 00:53, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se, në rrugën “Rexhep Bislimi” tek marketi ” Euro Market” në Ferizaj kishte të shtëna me armê zjarri. Patrullat e policisë menjëherë ju kanë përgjigjur kësaj thirrje dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, më pas edhe hetuesit dhe krim teknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj. Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J ( M/K) i moshës 30 vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G. H (M/K) i moshës 30 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Po ashtu në lidhje me rastin e vrasjes në Ferizaj, është bërë e ditur se policia me të ndalë në vendin e ngjarjes ka hasur në të dyshuarin të cilit i ka kërkuar të ndalet, por që i dyshuari ka refuzuar tu bindet urdhrave të policisë.
Me këtë rast, njëri nga zyrtarët policor, për të shmangur rrezikun ndaj tij, kolegëve të tij dhe të tjerëve përreth, ka shtënë mbi të dyshuarin duke e lënë këtë të fundit të plagosur.
Ndryshe, në duar të qytetarëve të Kosovës, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë rreth 250 mijë armë ilegale.
Sipas eksperteve të sigurisë, kjo shifër paraqet rrezik për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike.