Mësohet arsyeja pse Faton Maloku nuk ishte në portë për Dritën në finalen e Kupës ndaj Llapit
Drita para pak ditësh dështoi ta rikthente trofeun e Kupës së Kosovës në Gjilan edhe pas 22 vjetësh.
Skuadra gjilanase pësoi 1:2 në finale nga Llapi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për shumë tifozë të Dritës ishte befasi përzgjedhja e trajnerit Ardian Nuhiu për t’ia besuar vendin e titullarit portierit të dytë, Leutrim Rexhepit dhe jo “gardianit” të parë, Faton Malokut.
Mirëpo, kjo është e vendosur edhe në kontratën e tij me klubin giilanas.
Demokracia.com mëson se Rexhepi në kontratën me Dritën e ka pasur të sigurt pozitën e titullarit në ndeshjet e Kupës së Kosovës.
Kësisoj, Nuhiu ia besoi Rexhepit vendin startues edhe në disa takime paraprake në Superligën e Kosovës me qëllimin e vetëm të ketë më shumë minuta në mënyrë që të përgatitet sa më shumë për finalen e madhe.
Rexhepi pësoi dy supergola nga Rivera dhe Ramadani i Llapit, anise është portier me të cilin Drita u stolis me titullin kampion në vitin 2018.