Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas publikimit të një afere e cila thuhet se është bërë nga këshilltari i Ministrisë së Infrastrukturës.
Molliqaj përmes një videomesazhi në rrjetin social Facebook, ka thënë se këtë e kishin paralajmëruar shumë kohë më parë.
“Shiheni se si diskursi anti-korrupsion i pushtetit u përmbys. Aferat korruptive që u zotuan që do t’i luftojnë po iu dalin në shesh publikisht. E kemi thënë shumë kohë më parë që kjo do t’i ndodh partisë që braktisi idealet e barazisë e progresit”, ka thënë ai.
Nacionale ka publikuar një audioincizim për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Në këtë aferë korruptive raportohet se është i përfshirë Florent Ramqaj, këshilltari i ministrit Liburn Aliu dhe thuhet se bëhet fjalë për një shumë të parave rreth 30 mijë euro.