Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendi i saj ka bërë shumë analiza e veprime dhe ka ardhur te përfundimi që nisma “Ballkani i Hapur” nuk i trajton gjitha shtetet e rajonit njëjtë dhe nuk është gjithëpërfshirës.
Në intervistë për medien malazeze MINA, Osmani ka vlerësuar që nëpërmjet iniciativës “Ballkani i Hapur” presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po vazhdon ta shtrijë qasjen e tij hegjemoniste dhe ta trajtojë rajonin e Kosovën si partner të pabarabartë, duke mos e pranuar pavarësinë e saj.
Duke folur për synimin e Kosovës që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, si INTERPOL, por edhe në NATO, Osmani sërish foli për fqinjin verior.
“Kur Kosova të vendos të aplikojë për të hyrë në NATO, reagimi i Serbisë do të jetë diçka që definitivisht do ta tërheqë vëmendjen”, tha Osmani për MINA-n, përcjell Klankosova.
Presidentja tha se Serbia sa më shpejt duhet ta pranojë njohjen e ndërsjellë, sepse kjo do të jetë mirë “për ta, por edhe për gjithë rajonin”.