Njësia policore e Task Forcës, gjatë patrullimit ka arritur të ndaloj një furgon i cili dyshohej se transportonte mallë të kontrabanduar (duhan të papërpunuar).
Sipas njoftimi të Policisë, furgoni i kishte shfrytëzuar rrugët malore nga fshati Tanushë-Maqedoni e Veriut dhe duke kaluar përmes fshatit Mjak, ishte nisur në drejtim të Vitisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Njësia policore e Task Forcës, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje, gjatë patrullimit, vëzhgimit dhe pritave të befasishme, ka arritur ta vërejë, ta përcjellë dhe ta ndalojë një kombi (furgon), i cili duke shfrytëzuar rrugët malore nga fshati Tanushë-Maqedoni e Veriut, duke kaluar përmes fshatit Mjak, ishte nisur në drejtim të Vitisë. Kështu, sot me datë 03.06.2022, rreth orës 10:00 edhe përkundër tentativës për të t’iu shmangur patrullës policore, automjeti është ndaluar në fshatin Ramjan të Vitisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kontrollit të automjetit transportues është hasur në rreth 800 kg (36 paketime) duhan të papërpunuar.
“Automjeti i ndaluar, me targa vendore dhe i drejtuar nga: S.I., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar) ishte duke bërë transport të mallit që dyshohet të jetë i kontrabanduar. Gjatë kontrollit të automjetit transportues është hasur në rreth 800 kg. (36 paketime) duhan të papërpunuar. Rasti është duke u trajtuar nga zyrtarë policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar. Automjeti me mallin e ngarkuar do të dorëzohet në terminalin doganor tek Dogana e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim. /BetimipërDrejtësi