Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka quajtur si shpifje lajmin e postuar nga një media ne Kosovë në të cilin thuhej se këshilltarët e Gërvallës përdorin shërbimin “VIP” gjatë udhëtimeve në aeroportin e Prishtinës.
Gërvalla ka thënë se plasimi i shpifjeve për të nëpër mediat kosovare është bërë fenomen i rëndomtë, duke bërë që ajo të mos reagojë për to, shkruan Zeri.info.
Ajo ka thënë se me këtë çështje do të merren organet e rendit.
“Para se çështja t’i kalojë organeve të rendit, i bëj thirrje portalit demokracia.com dhe të tjerëve, të cilët pa asnjë verifikim paraprak thjesht vetëm e kanë kopjuar dhe botuar në portalet e tyre këtë shpifje, ta botojnë menjëherë demantimin e saj në të njejtën faqe ku edhe e kanë botuar shpifjen dhe të kërkojnë falje publike”, thuhet në reagimin e saj.
Gërvalla më tej ka thënë se këshilltarët e saj nuk marrin shërbime në terminale VIP jashtë shtetit.
“Këshilltarët e mi asnjëherë nuk marrin shërbime në terminalet VIP jashtë shtetit. Ata përkundrazi bien në sy për modestinë, mirësjelljen dhe zellin e tyre për të kryer sa më shumë punë të mira në një ambient aspak të lehtë”, thuhet në reagim.
Gërvalla madje theksoi se këtë mundësi për vete e shfrytëzij vetëm në raste të rralla.
“Madje as në aeroportin e Prishtinës unë nuk kaloj nga terminali VIP, përveç ndonjë rasti të rrallë (ndoshta 5% të udhëtimeve të mia), kur për shkak të takimeve zyrtare arrij kaq vonë në aeroport, sa kalimi nëpër terminalet e zakonshme të aeroportit do të rrezikonte të gjithë udhëtimin zyrtar. Për këtë kam dëshmitarë qindra dhe mijëra udhëtarë nga Kosova dhe mërgata, me të cilët kam pritur dhe pres në radhë çdo herë për të kryer shërbimet e zakonshme para fluturimit”, thuhet më tej. /Zëri