Publikimi i një përgjimi në emisionin ‘Ditari i Buzhalës’ të gazetarit Berat Buzhala, ku flitet për ryshfet në vlerë 30 mijë euro për punimet në rrugën Dollc – Gjakovë, e që lidhet me ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastruktursë, të drejtuar nga Liburn Aliu, ka nxitur debat në opinion, e tani përveç të tjerëve, po kërkohen ndëshkime edhe nga përkrahës të Vetëvendosjes.
Analisti Xhevdet Pozhari, i cili me opinionet e tij, shihet si i afërt me Vetëvendosjen e Kurtit, përmes një reagimi në Facebook, ka kërkuar nga Kryeministri, që të shkarkojë ministrin Liburn Aliu dhe zv.ministrin Hysen Durmishi.
Ai ka thënë se nëse nuk ndërmerret ky veprim, atëherë i bie që të legjitimohen veprimet e tyre, të cilat thotë se është vetë Vetëvendosje që në të kaluarën i ka cilësuar si korrupsion.
“Njeri tha mbrëmë me zë e figurë, e kam shok prej vitit 2001. E ka fituar tenderin edhe pse ka qenë me i shtrenjti, se është i përgjegjshëm. E pranoi po ashtu se pa atë e-mail që e ka dërguar kompania mbikëqyrëse në Ministri, nuk do t’iu kryheshin pagesat nënkontaktorëve. 30, 20 qetash, 10 ma vonë. Me ta lehtësu ni grimë. Nuk po e dinë se kah sa i ka pagu banesat. Po i shkollojnë fëmijët në shkollat ma të shtrenjta. S’po i ndalin shëtitjet dhe pushimet…. Krejt këto janë veprime që VV në të kaluarën i ka shpallur KORRUPSION i pastër. Tash ka veç një gjë që pritet: ose Albini i shkarkon ose i legjitimon veprimet e tyre. Tjerat janë pallavra”, ka shkruar Pozhari. /Reporteri.net