Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka mohuar raportmet e mediave se ai merr shuma parash nga kompania “Bageri”, e cila ka fituar disa tenderë nga kjo ministri.
Durmishi gjatë një interviste televizive ka thënë se me zor e kalon muajin dhe jeton vetëm me pagën si zëvendësministër.
“Unë jetoj prej një page dhe pasurinë time e kam të deklaruar, unë mezi e kaloj muajin, sepse kam dy fëmijë të vegjël dhe shpenzimet janë të mëdha. Flitet e çka nuk flitet në këtë mentalitetin tonë që është krijuar, sepse kështu janë mësuar”, ka thënë ministri në ATV, transmeton Zeri.info.
Ai më tej tha se deri para disa muajve ka jetuar me qira dhe vetëm tani ka arritur të blejë banesë, edhe pse ka shërbyer si drejtor në Komunën e Prishtinës për katër vjet.
“Unë kam qenë katër vjet drejtor në komunë, se si kam jetuar dhe si jetoj e dinë njerëzit që më njohin. Deri para dy-tre muajve kam jetuar me qira, tash kam banesë”, shtoi ai.
Kujtojmë se paga e një zëvendësministri në Kosovë arrin deri në 1300 euro.