Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” ka folur pas fitores së Kosovës ndaj Irlandës së Veriut.
Kurti është shprehur mjaftë i lumtur me paraqitjen e futbollistëve kosovar, ndërsa ka theksuar se kapacitetet e stadiumit të tanishëm nuk janë të mjaftueshme.
“Nuk kemi pas moti lojë më të bukur, hapësira e stadiumit e pamjaftueshme, më vjen keq për qytetarët që e kanë shikuar nga shtëpitë dhe nuk e kanë parë kështu si ne në “Fadil Vokrri”. Nuk kemi pas moti lojë me të bukur. Nuk është i mjaftueshëm stadiumi, nëse vazhdojmë të luajmë kështu sigurisht që do të na duhet më shumë hapësirë”, ka thënë Kurti pas ndeshjes për Klan Kosova.
Kosova ka shënuar sot fitore ndaj Irlandës së Veriut me rezultat 3:2, në kuadër të ndeshjes së tretë në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve.
Pas kësaj fitore, Kosova ka arritur kuotën e gjashtë pikëve në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, duke u renditur kështu pas Greqisë me tre pikë më pak.
Ndeshjen e radhës “Dardanët” do ta zhvillojnë më 12 qershor pikërisht ndaj Greqisë.