Behgjet Pacolli është deputeti më i pasur që ka Kuvendi i Kosovës në këtë legjislaturë. Por, s’është i vetmi milioner aty. Kuvendi Kosovës ka në përbërje edhe disa milionerë të tjerë.
Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është zyrtarisht njeriu më i pasur, jo vetëm në Kuvend, por edhe në gjithë vendin. Sipas formularit për deklarimin e pasurisë që ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasuria e Pacollit sillet diku rreth 743 milionë euro.
Pacolli ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 210 milionë euro. Këtu përfshihen shtëpi, toka dhe hotelet. Vetëm një shtëpi e tij kushton gati 18 milionë euro.
Për hotelin “Swiss Diamond” ka thënë se ka vlerë 42 milionë euro.
Tek pasuria e luajtshme, Pacolli ka deklaruar avionin, për të cilin thotë se kushton 8 milionë euro. Përveç avionit, ka deklaruar edhe tetë veturat e tij.
Në total, vlera e pasurive të luajtshme sillet rreth 8 milionë e 504 mijë euro.
Pacolli posedon edhe shumë aksione në shoqëri komerciale. Vlera e tyre sillet rreth 506 milionë euro.
Vetëm në Mabatex Group ka aksione në vlerë 200 milionë euro, për të cilat ka deklaruar pronësi të përbashkët.
Shuma e parave që Pacolli e ka në banka sillet rreth 10 milionë euro. Por, milioneri Pacolli ka edhe një kredi.
Ai ka deklaruar një kredi në vlerë 287 mijë e 971 euro, që thotë se e ka marrë për investime private. Ka afat që ta kthejë deri në vitin 2025.
Ndërkohë, si të hyra vjetore i ka deklaruar gati 4 milionë euro.
Pal Lekaj
Kuvendi i Kosovës ka në përbërje edhe milionerë të tjerë. Një prej tyre është Pal Lekaj. Deputetin e AAK’së milioner e bën vetëm një tokë që ka në pronësi.
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Lekaj ka deklaruar se ka në pronësi një tokë në vlerë 1 milion e 500 mijë euro, një shtëpi që thotë se kushton 280 mijë euro dhe një banesë, vlera e të cilës sillet rreth 80 mijë euro.
Tek pasuritë e luajtshme, ai ka deklaruar veturën e tij në vlerë 10 mijë e 800 euro, veturën e bashkëshortes që kushton gati nëntë mijë euro dhe dy veturat e fëmijëve që bashkë kushtojnë 37 mijë e 700 euro. Njëra është Land Rover Sport, e tjetri Audi Q3.
Ish ministri ka para të gatshme në banka 3 mijë euro, derisa bashkëshortja dhe fëmijët kanë para në vlerë 3 mijë e 600 euro.
Lekaj ka edhe detyrime financiare ndaj bankave. Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, figuron se ai ka kredi në vlerë 75 mijë euro që e kishte marrë për blerjen e një banese, kohëzgjatja e së cilës është 10 vite.
Si të hyra vjetore, ai e ka deklaruar gati 25 mijë euro, që i merr si pagë nga Kuvendi. Ndërkohë, fëmijët e tij ka thanë se marrin rreth 16 mijë euro.
“Kredinë në vlerë prej 75,000.00 euro , në BKT Bank e kam marrë në vitin 2016 , për blerjen e Banesës në Prishtinë , banesa e cila ndodhet në lagjen ” xxxxxxxx e cila është 87.0 m² kredin time e paguaj me këste mujore nga të ardhurat e pagës sime .
Automjetin Q3 është paguar nga kursimet e fëmijëve dhe nga kursimet e Gjyshit të tyre ( Prindit tim ) ne vitin 2019 . Automjetin BMË ( 2012 ) e kam marrë nga djali i vëllaut si rezultat i ndarjes së pasurisë . Automjetin Land Rover Sport 2014 e ka blere djali duke e shitur Mercesdesin ne vlrej prej 12,000 Euro , dhe pjesen e mbetur ta paguaj me keste mujore ne kohzgjatje mujore prej 1 viti nga te ardhurat e tij personale dhe familjare . Automjetet i kam zhvlerësuar për 10 % nga vlera e vitit të kaluar . Në llogarinë time qarkullon vetëm paga mujore”, ka qenë sqarimi i Lekajt në fund të deklarimit.
Jahja Koka
Milioner është edhe deputeti i Vetëvendosjes. Kokajn, e bëjnë milioner gjashtë pasuritë e paluajtshme që i ka në pronësi. Në deklarimin e fundit të pasurisë, Kokaj ka shënuar dy banesa, dy shtëpi, një dyqan dhe një bibliotekë, që kushtojnë mbi 1 milion euro, raporton Gazeta Express.
Dy banesat e Kokajt kushtojnë 80 mijë, përkatësisht 85 mijë euro. Një shtëpi 160 metra katror e Kokajt vlerësohet 140 mijë euro, ndërsa një shtëpi me bibliotekë (480 metra katror), ka deklaruar se kushton 480 mijë euro.
Kokaj posedon edhe një dyqan prej 39 metrash katror të blerë në vitin 1992 dhe që vlerëson se kushton 380 mijë euro.
Nga paga e djalit, Kokaj ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë prej 2 mijë e 300 eurosh. Në fund, ka deklaruar se këtë veturë e shfrytëzon me autorizim të djalit të tij.
Kokaj i mban në bankë 8 mijë e 915 euro të gatshme, pa llogaritur 22 mijë e 618 eurot e regjistruara në bankë në emër të gruas së tij.
Pasurinë e paluajtshme, Kokaj ka deklaruar se e ka bërë prej punës së tij të mëhershme, ndërsa aktualisht deklaron të hyra vetëm nga pozita e tij si deputet. Nga Kuvendi, ai ka deklaruar se merr 25 mijë e 350 euro në vit.
Në fund, Kokaj ka deklaruar se para një viti e ka shkëputur “bashkësinë familjare me djalin”.
Ljubinko Karagjiq
Milioner është edhe deputeti nga radhët e Listës Serbe, Ljubinko Karagjiq. Vetëm një tokë që e zotëron, ka vlerë 1 milion e 300 mijë euro.
Përveç tokës, ai ka edhe një shtëpi në vlerë 100 mijë euro, apartament që kushton 60 mijë euro dhe mal.
Si pasuri të luajtshme, Karagjiq ka deklaruar veturën e tij që thotë se kushton 10 mijë euro.
Ai ka gati 50 mijë euro të gatshme në banka, 12 mijë euro të tjera i ka deklaruar në pronësi të përbashkët.
Bashkëshortja e tij ka edhe një kredi në vlerë 24 mijë euro, në kohëzgjatje për gjashtë vjet.
Karagjiq merr gati 33 mijë euro të hyra në vit. Bashkëshortja e tij merr 11 mijë e 200 euro.
Valentina Bunjaku-Rexhepi
Bazuar në deklarimin e pasurisë, milionere është edhe deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deputetja e LDK’së ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët gjashtë lokale afariste në vlerë rreth 900 mijë euro dhe dy shtëpi në vlerë mbi 550 mijë euro.
Tek pasuritë e luajtshme, Bunjaku-Rexhepi ka deklaruar veturën e saj në vlerë 12 mijë euro dhe veturën e bashkëshortit që kushton 9 mijë e 500 euro.
Bunjaku-Rehxepi është edhe aksionare në një kompani. Ajo ka 50 përqind aksione në kompaninë “Altidas”, vlera e të cilave është 30 mijë euro. Ajo është aksionare aty nga dhjetori i vitit 2020, por në fund të deklarimit ka sqaruar se biznesi s’është aktiv.
Edhe bashkëshorti i saj është edhe aksionar në një kompani. Vlera e aksioneve që ka në pronësi sillet rreth 52 mijë euro.
Deputetja i ka 180 euro të gatshme në bankë dhe një kredi në vlerë 40 mijë euro, me kohëzgjatje pesë vite.
Burri i saj kë në bankë 400 eur dhe një kredi 10 mijë euro.
Të hyrat vjetore të Bunjaku-Rexhepit sillen rreth 15 mijë euro, që i merr si pagë dhe mëditje nga Kuvendi.