obilizohet Policia, blindohen Kuvendi dhe Qeveria para protestës së veteranëve
Lajme
Gazeta Express16/06/2022 8:18
Policia është mobilizuar ndërsa veteranët e UÇK-së pas pak do të mblidhen te Kuvendi dhe Qeveria për të protestuar. Në disa pamje të T7 shihen policët teksa nga stacioni qendror në kryeqytet janë nisur drejt institucioneve. Ndërkaq disa policë të tjerë janë pozicionuar përpara oborrit të Kuvendit dhe Qeverisë.
Në 09:30 veteranët kanë planifikuar mbajtjen e një “proteste gjithëpopullore” para Kuvendit dhe Qeverisë. Të indinjuar që deputetët të martën miratuan në parim projektligjin për caktimin e pagës minimale i cili i mënjanon ata, veteranët kanë paralajmëruar dalje masive në protestën e sotme.
Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka njoftuar në Facebook se do të ketë organizim me autobusë në mënyrë që protestës t’i bashkohen veteranët nga i gjithë vendi.
Çfarë është paralajmëruar?
I pyetur nga Express se si do ta mbajnë protestën, Klinaku ka thënë vetëm “shihemi në protestë”.
Nga kryesia dhe degët e OVL-së, ndërkaq, nuk e përjashtojnë aspak mundësinë e eskalimit.
Kryetari i degës së OVL-së së UÇK-së në Drenas, Enver Hajdari tha të mërkurën në Frontal të T7 se “çkado që ndodh, le ta mbajë përgjegjësinë qeveria aktuale që sot është në pushtet”.
“Ne po mundohemi që kontrolla mos të na dalë jashtë kontrollit dhe të ketë dalje masive. Është një e drejtë e jona të protestojmë, sepse qeveria ka bërë përjashtim”, tha ai.
Pak a shumë të njëjtën gjë e paralajmëroi edhe Metush Kryeziu, anëtar i Kryesisë së OVL-UÇK-së
“Sipas informatave që i kam, të gjitha degët janë duke punuar në terren. Ta shohim situatën. Mirëpo kjo përgjegjësi i bie Qeverisë çkado që do të ndodhë”, tha ai të martën në Frontal.
I pyetur se çka mund të ndodhë në protestë, Kryeziu tha:
“Ta shohim. Në ato rrethana mund të eskalojë edhe situata sepse veteranët janë në gjendje të rëndë”.
Policia është përgatitur
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë marrë masat e nevojshme dhe se janë takuar me përfaqësues të OVL të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes.
“Policia e Kosovës me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar sipas ligjit mbi tubimet publike nga Veteranët e UÇK-së, ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore. Sot, më 15.06.2022, zyrtarë nga PK-ja, kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Organi i rendit bëri thirrje për protestë të qetë.
“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik. Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit / protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet në njoftim.
Sipas procedurave të parapara, Policia tha se “do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës”.
Çfarë ndodhi para një jave
Më 6 qershor, një seancë e Kuvendit dështoi të mbahej normalisht, pasi veteranët kishin hyrë në oborrin e institucionit më tëu lartë ligjvënës të vendit dhe kërcënonin të futeshin brenda.
Pika e parë e asaj seance ishte e papranueshme për ta. Veteranët u ndjenë të indinjuar që Qeveria i la jashtë projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale. Mazhoranca i kishte numrat e nevojshëm për ta miratuar këtë projektligj, por nuk pati kuorum për miratim.
Një kordon i policisë u pozicionua shpejt para Kuvendit, ndërsa në hyrje policët u bënë grumbull për të mos i lënë veteranët të futen brenda.
Objekti i Qeverisë së Kosovës u rrethua po ashtu nga forcat e Policisë, pasi protesta eksaloi në anën tjetër.
Autoblindat e Policisë u panë nëpër rrugët e Prishtinës, teksa shkonin te Kuvendi, ku veteranët tashmë ishin futur në oborr.
Por ky projektligj që parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht, u miratua në lexim të parë të martën.
PRO këtij projektligji votuan 68 deputetë. Në votim morën pjesë edhe deputetët e Listës Serbe – gjë që ngjalli shumë reagime nga veteranët – ndërsa gjashtë të tjerë abstenuan.
Në këtë seancë nuk mori pjesë PDK-ja, ndërsa LDK-ja qëndroi në sallë por nuk votoi.