Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka thënë se mbetja e veteranëve të luftës së UÇK-së jashtë pagës minimale, është gabimi më i madh që i bëhet kësaj kategorie. Ndërsa thotë se takimi i Kurtit me veteranë është gabim, pasi sipas tij, OVL e UÇK-së nuk është e thirrur për të biseduar për pagat e veteranëve.
Berisha për Ekonomia Online ka thënë se kjo kategori duhet të ketë pagë të dinjitetshme dhe të kenë të drejtë pune.
Krahas kësaj, Berisha ka kritikuar edhe mazhorancën, për të cilën thotë se po thirren në numrat që i kanë në Kuvend.
“Po i trajtojmë me pagën mesatare në vend dhe si pagë mesatare në vend e cila në bazë të një analize kap afro 320 deri në 330 euro, ta kenë pagë të tatimueshme sipas ligjit për tatimin në të ardhura. Të ju njihet e drejta për punë dhe të ardhurat nga puna që bëjnë ose realizimi profesional. Ka veteranë që tash janë doktorë shkence, të ardhurat e dyta nga puna që i lejohet me punu të tatimohen sipas ligjit për punë sekondare që shkon 50 për qind. Veterani përzgjedh se cilën pagë do ta bëjë primare dhe shteti i zbaton tatimet. Shteti merr taksën, veterani tërhiqet nga tregu i zi i punës dhe është i kënaqur, është dinjitoz sepse punon vetë për veten e tij, nuk i jepet një lëmoshë 170 euro”, tha Berisha për EO.