Pas përfundimit të Testit të Arritshmërisë, sot, 22 mijë nxënës të klasave të 12-ta, në nivel vendi, hyjnë në Provimin e Maturës.
Ndërkohë, organizata ETEA thotë se është duke përcjellë me vëmendje komunikimet mes nxënësve lidhur me Provimin e Maturës dhe konstaton se gjendja është tejet alarmante, ku madje janë krijuar grupe në internet deri në 5 mijë persona.
“Sipas dëshmive të siguruara nga organizata ETEA, maturantët/et janë duke bërë përgatitje përtej asaj që mund të imagjinohet për të kopjuar në teste. Flitet për përfshirjen e mësimdhënësve në grupet e rrjeteve sociale të hapura për qëllime të kopjimit; Flitet për përfshirjen e studentëve/eve dhe familjarëve në grupet në fjalë; Në këto komunikime vërehen edhe diskutime ku kërkohen këto shërbime duke premtuar pagesa; Nga komunikimet kuptohet se ka studentë/e të cilët/at ofrojnë ndihmë për kopjim në këmbim të votave për Zgjedhjet Studentore në Universitet”, njofton organizata ETEA, përmes një komunikatë për media.
Sipas ETEA, ajo që bije më shumë në sy e që dallon nga grupet e formuara nga semi-maturantët/et me qëllim të kopjimit në Testin e Arritshmërisë, ka të bëjë me rregullat dhe metodat e sofistikuara që maturantët/et aplikojnë për të pamundësuar identifikimin e tyre në këto grupe.
“Emrat e grupeve të rrjeteve sociale ndryshojnë vazhdimisht; Kushdo që përfshihet në këto grupe, për të qëndruar aty obligohet ta largojë foton e profilit dhe emrin dhe mbiemrin ta zëvendësojë me iniciale, përndryshe përjashtohet nga grupet në kohë rekorde; Administratorët/et e grupeve në fjalë duket të jenë të ashpër përmes paralajmërimeve dhe kërcënimeve ndaj kujtdo që identifikohet se ka shpërndarë informacion për ekzistimin dhe funksionimin e këyre grupeve. Organizata ETEA përshëndet vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për të përfshirë ekspertë të kibernetikes në grupet punuese të Këshillit Shtetëror të Maturës, të cilin vendim e aplikoi edhe në pjesën e dytë të Testit të Arritshmërisë. Por, bazuar në deklaratën e publikuar nga MASHTI më datë 17.06.2022 për mbarëvajtjen e pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, ETEA konstaton se përfshirja e ekspertëve të kibernetikës në këto grupe punuese nuk është e mjaftueshme për të mos thënë se është krejtësisht e pavërejtëshme. Kjo pasi grupet e semi-maturantëve për qëllime të kopjimit, me anëtarësi deri në 5 mijë persona, kanë qenë aktive ngjajshëm sikurse në pjesën e parë të Testit të Arritshmërisë dhe komunikimi ka qenë në dinamikë kulminante gjatë kohës së zhvillimit të testit në fjalë”, thuhet në komunikatë.
Organizata ETEA i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe drejtorive komunale të arsimit në nivel vendi që ta marrin me seriozitet të shtuar këtë situatë.
“ETEA rekomandon që të konsiderohen me urgjencë masa rigoroze për parandalimin e fenomeneve të tilla për të parandaluar degradimin e mëtejmë të sistemit arsimor, si vijon, por pa u kufizuar: Të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së bllokuesve të valeve në Qendrat e Testimit përgjatë kohës së zhvillimit të testeve; Të pajisen komisionerët/et dhe administruesit/et e testeve me detektorë për zbulimin e pajisjeve elektronike; Të rimendohet organizimi i grupeve punuese duke përfshirë sa më shumë zyrtarë dhe njohës të krimeve kibernetike të cilët duhet të angazhohen maksimalisht duke u qasur në këto grupe për të siguruar informacion në kohë reale në mënyrë që të identifikohen të gjithë ata/o që mundësojnë, inkurajojnë dhe njëherësh aplikojnë të tilla metoda mashtruese. Në të kundërt, ETEA konsideron se është më e arsyeshme të pezullohet organizimi i testeve kombëtare për klasët e 9-ta dhe 12-ta derisa te krijohen kushtet për testim të drejtë, korrekt dhe trajtim të barabartë të fëmijëve – se sa të vazhdohet në këtë mënyrë vit pas viti. Pasi kjo, para se gjithash, është e dëmshme për vet nxënësit/et e Kosovës të cilët, tani e disa vite vazhdojnë të prijnë në kontinentin evropian për analfabetizëm funksional”, njofton ETEA.