Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka mohuar se e ka kërcënuar analistin Xhevdet Pozhari, pasi ky i fundit tha se Syla në një restorant i është afruar dhe i ka thënë se “s’guxon të shkruajë për të”.
Zëvendësministri Syla në një përgjigje për Express tha se biseda mes tyre nuk ka të bëjë me kërcënim.
“Biseda që është zhvilluar mes meje dhe zotëri Pozharit nuk ka të bëjë me kërcënim. Ky titull i cili i është vënë bisedës sonë është tejet i qëllimshëm dhe nxitës. Unë me zotëri Pozharin thjesht kam ndarë mendimin tim në lidhje me fyerjet dhe fjalorin që ai ka përdorur në lidhje me një prononcim timin për media, duke bërë deklarata të pavërteta dhe sulmuese”, tha Syla.
Ish-deputeti i VV-së u shpreh se Pozhari e ka nxjerrë qëllimisht nga konteksti fjalinë “nuk guxon me shkrujt për mu”
“Pas bisedës sonë, ai e ka nxjerrë qëllimisht nga konteksti në kuptim literal fjalinë “nuk guxon me shkrujt per mu” dhe po e quan atë një kërcënim. Shprehja ime ka qene në kuptimin gjeneral, që askush nuk guxon të shkruajë në mënyrë të manipuluar, të rreme, fyese e ofenduese për askë, pavarësisht inateve personale për personin tjetër apo qoftë edhe për institucionin të cilin ai e përfaqëson”, ka thënë Syla.
Analisti Xhevdet Pozhari ka thënë dje se zëvendësministri Shemsi Syla e ka kërcënuar derisa ishte duke qëndruar në një restorant duke i thënë se nuk guxon kurrë të shkruajë për të.
“Shemsi Syla ishte. Zv/ministër i mbrojtjes. Për një ironizim që kam bërë me deklarimin e tij se nuk kemi rreizk nga Serbia, apo diçka të ngjashme. Kërcënimi ishte direkt në një restorant. Ishin disa të njohur të përbashkët dhe po më vjen keq prej tyre. Në këtë mënyrë u bo kontakti i rastësishëm kur u përshëndetëm dhe ai shpërtheu ndaj meje”, ka thënë ai për Nacionale.com