Pas mbajtjes së mbledhjes së tetë të Qeverisë së Kosovës e asaj të Shqipërisë dhe ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare në një konferencë të përbashkët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshjet bilaterale ndërmjet dy vende bëhen për t’i shtuar marrëdhëniet dhe për t’i afruar më shumë.
“Gjithmonë marrëveshjet bilaterale ndërmjet dy vendeve bëhen për ti shtuar marrëdhëniet dhe për ti afruar edhe me shumë qytetarët, ne me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta teksa qëndrojmë të përbashkuar, të përbashkuar si sot rreth nevojës, dëshirës dhe qëllimit për zhvillim barazi, drejtësi e mirëqenie”, tha Kurti.
Kurti deklaroi se Kosovën dhe Shqipërinë nuk i bënë bashkë interesi, por sipas tij është në interesin tonë që dy vendet të qëndrojnë bashkë.
“Vendet tona nuk i bënë bashkë thjesht interesi, por është në interesin tonë që të qëndrojmë bashkë, aq sa na bashkon historia, gjuha dhe kombi aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë”, tha ai.
Kurti foli edhe për ditën botërore të refugjatëve, teksa kujtoi rolin e Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë.
“8 ditë më parë në Kosovë festuam 23 vjetorin e Dita e Çlirimi dhe paqes, ndërkaq sot është dita botërore e refugjatëve, kur kremtojmë 12 qershorin nuk mund të mos e kujtojmë rolin rëndësishëm që kishte republika e Shqipërisë në luftën tonë për çlirim dhe të përkujtojmë dëshmorët dhe qytetarët shqiptarë që iu bashkuan luftës çlirimtare”, tha Kurti.
Kurti i shprehu edhe falënderime familjeve shqiptare që kanë strehuar kosovarët gjatë dëbimit në pranverën e vitit 1999.
“Kur shënojmë ditën e refugjatëve, nuk mund se si të mos jemi falënderues ndaj familjeve shqiptarë që strehuan bashkëkombësit e tyre të cilët po dëboheshin masivisht e kërcënoheshin nga spastrimi etnik në pranverën e vitit 1999”, deklaroi kryeministri.
Kurti në konferencë foli edhe për bashkëpunimin tregtar midis dy vendeve, duke thënë se vetëm brenda pesë viteve shkëmbimi tregtar me Shqipërinë është shumëfishuar.
“Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë një trend shumë pozitiv të bashkëpunimit tregtar që duhet ta avancojmë, vetë brenda pesë viteve të fundit shkëmbimi ynë tregtar me Shqipërinë është shumëfishuar”, theksoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës, më tej tha se projekti i hekurudhës Durrës – Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme.
“Projekti i hekurudhës Durrës – Prishtinë është ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme, kjo hekurudhë do ta lidhë Kosovën me korridoret që kalojnë pranë nesh por nuk janë të lidhura me ne, do ti bashkojë edhe më fort ekonomit tona”, përfundoi Kurti./teve1.info