Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka quajtur arbitrar vendimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjfuca që ta ndërpresë seancën e Kuvendit disa minuta më herët.
Tahiri në një konferencë për media, tha se rreth 80 deputetë ishin në sallë dhe s’kishte arsye që të ndërprehet seanca.
“Në mënyrë të paprecedentë në mënyrë arbitrare është ndërprerë seanca e Kuvendit pikërisht kur ishim te pika për Trustin. Nëse do të ndërpritet seanca apo të vazhdojë kjo vendoset me mocion procedural e jo kryetari i Kuvendit. Ju e patë se ishim prezentë rreth 80 deputetë dhe s’kishte arsye që të mos vazhdohet”, tha Tahiri.
Ai poashtu tha se VV ka përkushtim të madh që ta pengojë Ligjin që mundëson tërheqjen nga Trusti.