Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se ekzistojnë disa çështje të cilat ai do t’i hiqte nga diskursi politik, e njëra nga këto është edhe çështja e kategorive të dala nga lufta dhe UÇK-në.
Sipas Mujës, UÇK-ja është një çështje sublime që i takon gjithë shoqërisë.
“Janë disa çështje që do i largoja nga diskursi ditor politik. Njëra nga to është kategoritë e dala nga lufta edhe UÇK-ja. Sepse është një vlerë sublime që i takon tërë shoqërisë. Meritë për të cilën e kemi parë tashmë përmes lirisë së vendit, prandaj pa marrë parasysh se cili krah politik jemi, ne duhet të pajtohemi me këtë”, tha ai në TV1.
Tutje, Muja tha se s’ka veteranë të partive politike.
“Do ishte mirë me hjek prej debatit, diskutim publik, veteranët, e sidomos kategoritë e dala nga lufta janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë dhe duhet të jenë përgjegjësi e krejt shoqërisë. Aty s’ka veteranë të AAK-së e të PDK-së”, potencoi Muja.
Ai shtoi se me kategorinë e veteranëve duhet të flasin sy më sy, e kjo për shkak se ata i kuptojnë kufizimet që i ka Kosova.
Kujtojmë se ditë më parë deputeti Muja në Kuvendin e Kosovës i kishte reaguar edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i cili kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje po “luan” me veteranët e luftës së UÇK-së, duke i lënë jashtë Ligjit për Pagën Minimale.