Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri i vendit Albin Kurti po vazhdon ta refuzojë propozimin e tyre për reduktimin e akcizës për naftë dhe TVSH-së për tre muajt e ardhshëm.
Abdixhiku ka krahasuar Kurtin me Bidenin, pasi ky i fundit ka nisur dje një propozim për heqjen e taksës në naftë për tre muajt e ardhshëm, shkruan teve1.info
“Presidenti i SHBA-ve, i ekonomisë më të fuqishme në botë, Joe Biden, i ka nisur dje Kongresit Amerikan propozimin për heqjen e taksës në naftë për tre muajt e ardhshëm; si masë e domosdoshme e stabilizimit të çmimeve të gjithëmbarshme. Kryeministri i ekonomisë më të varfër në Evropë, Kurti, vazhdon të refuzojë propozimin tonë të 7 marsit për masë krejtësisht të ngjashme – reduktimin e akcizës dhe TVSH për tre muajt e ardhshëm”, ka shkruar ai.
Sipas tij, zgjidhje tjetër përpos propozimit të LDK-së nuk ka.
“Kokëfortësia, paranoja e refuzimi i propozuesit e jo propozimit s’janë zgjidhje në politikë. Kosova ka nevojë për lidership në momente krize; jo teke të tilla. Mund të vonoheni, të bëni dëme edhe më shumë, por zgjidhje tjetër – përveç propozimit të LDK-së – s’keni si zëvendësim. Qeveritë e Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Holandës, Belgjikës, Suedisë, Polonisë, Portugalisë, Irlandës, Hungarisë, Kroacisë e Sllovenisë – tashmë kanë reduktuar akcizën dhe TVSH-në në naftë e derivate. Këtë të hënë, në debatin parlamentar të kërkuar nga LDK, është koha që edhe Kosova – me qytetarë me standard shumëfish më të ulët për krahasim – të rreshtohet prapa një politike të tillë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.