Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama arriti që të trazojë edhe opinionin e Serbisë me deklaratën populiste që pas 10 vitesh Kosova dhe Shqipëria të kenë një president të përbashkët.
“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo vetëm me ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çfarë është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”, u shpreh Rama në Kuvendin e Kosovës.
E kjo nuk është pritur mirë nga politika në Serbi duke e vlerësuar si një kërcënim, duke kthyer kështu vëmendjen nga Rama.
Kryetari i Partisë Popullore të Serbisë Nenad Popoviç kërkon që Serbia ta shpallë “non grata” Edi Ramën për këto deklarata.
“Këtë e njohim si kërcënim të rrezikshëm që Shqipëria në të ardhmen planifikon ta aneksojë Kosovën, e cila me Kushtetutën tonë është pjesë e Serbisë”, citohet Popoviç nga mediat serbe.
Serbët ndër të tjera kërkojnë edhe sqarime nga ambasadori shqiptar në Beograd në lidhje me këto deklarata.
Ndërkaq, vetëm një ditë para pavarësisë edhe një deklaratë e Ramës në lidhje me demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi e irritoi Haradinajn i cili u shpreh publikisht që Rama duhet të merret me punët në Shqipëri.