Dita e djeshme ishte plot shpresë për kosovarët, të cilët edhe një herë besuan se më në fund do të mund të lëvizin lirshëm, pa viza, në zonën Schengen. Por kjo nuk ndodhi dhe qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në ‘kafaz’, si shteti i vetëm në Evropë i cili nuk ka liberalizim të vizave, raporton Gazeta Sinjali.
Në ditën e parë të Samitit të Bashkimit Evropian nuk u përmend liberalizimi i vizave për Kosovën, gjë e cila ngjalli shumë reagime në shtetin kosovar.
Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka akuzuar ministrin e Brendshëm të Francës, për mos-liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Problemi nuk është ai apo këshilltarët e tij, por ministri i Brendshëm. E vështirë”, ka replikuar Cramon.
E nuk vonoi shumë që shtetasit kosovarë të vërshojnë me komente në profilin e ministrit të Brendshëm francez, Gerald Darmanin, të cilin e kanë kritikuar ashpër, duke e quajtur racist e dështak.
“Si do të ndiheshit nëse ju dhe fëmijët tuaj nuk do të kishit mundësi të udhëtoni kudo pa pritur për muaj të tërë para ambasadave, njeri racist”, thotë njëri nga komentuesit.
E ‘zhagun’ atij ia mbajnë edhe shumë të tjerë, të cilët me #hashtag kërkojnë që t’u liberalizohen vizat kosovarëve.
Madje pati edhe nga ata që zgjodhën gjuhën shqipe për t’i shkruar Darmanin, ani pse ky i fundit është francez.
“Përshendetje Z.Minsiter Liberalizimi i vizave në Kosovë 🇽🇰 do të bëhet deshtet apo nuk deshtet ju,Sepse me kulturë jemi larg nga ju!”, thotë në shqip komentuesi nga Kosova.
Krahas kritikave pati edhe ofendime drejt ministrit francez, të cilin njëri nga komentuesit ka vendosur që ta quaj ‘kungj vorri’.
“Ti o Kungj vorri po e bllokon Liberalizimin e vizave per Kosoven a??!”, ka shkruar qytetari kosovar.
Ndërkohë janë edhe dhjetëra komente të tjera që thonë se ministrit Darmanin, duhet t’i vijë turp që bllokon liberalizmin e vizave për qytetarët më pro-evropian, duke thënë se kjo është shovinizëm, cenim i lirisë dhe ligjit ndërkombëtar. E madje ka nga ata që ‘shpresojnë’ se do ta ketë fatin e Ukrainës sa më shpejt.
“Po ia mohoni Kosovës lirinë e lëvizjes. Shpresoj që t’ju gjejë edhe juve fati i Ukrainës sa më shpejt që është e mundur’, ka shkruar në anglisht një nga komentuesit nga Kosova.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkan që ende u duhet që të pajisen me viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Rruga drejt liberalizimit ka nisur tash e 12 vjet, por që ende nuk ka përfunduar.