SBASHK në një komunikatë për media ka paralajmëruar protestë dhe grevë në muajin shtator.
Nga kjo sindikatë kanë thënë se do “t’ia plotësojnë dëshirën” Kurtit, duke thënë se ai do veç protesta e greva.
Sindikata ka thënë se shtatori shkollat nuk do t’i gjej me fillim të vitit shkollor e as me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, por me grevë të përgjithshme nga çerdhet te universitetet.
“Duke u përballur me qasjen e tillë të Kurtit dhe Qeverisë që ka mbyllur hermetikisht dyert për dialog, SBASHK-u me keqardhje informon opinionin e gjerë se janë harxhuar të gjitha mjetet sindikale dhe nuk kemi as një fije shprese se Kryeministri do të ndryshoj qasjen dhe prandaj bazuar në Ligjin e grevave ne do të jemi të shtyrë t’ia plotësojmë dëshirën Kryeministrit dhe Qeverisë dhe shtatori, pa fajin tonë , shkollat nuk do t’i gjej me fillim të vitit shkollor e as me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, po me grevë të përgjithshme, që nga çerdhet e deri në Universitete.”
Ndër të tjerash, në komunikatë thuhet se Kurti dhe ministrat tjerë kanë vazhduar me qasjen e gabueshme ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut.