Mbi 42 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën, gjatë vitit të kaluar. Kjo shifër alarmante e numrit të kosovarëve që kanë emigruar është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar dje raportin për Vlerësimin e Popullsisë për vitin 2021. Në këtë raport janë dhënë shifra alarmante për numrin e kosovarëve që kanë emigruar.
Sipas të dhënave të ASK’së, vjet janë larguar nga Kosova 42 mijë e 728 qytetarë.
“Gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 391 persona. Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 7 353 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 4 122 persona; dhe kanë emigruar 42 728 persona”, thuhet në raportin e ASK’së.
Bazuar në raportin e Agjencisë, popullësia për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1 milion e 773 mijë e 971 banorë. Vjet popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 mijë 391 persona./Reporteri.net
Komunikata e plotë e ASK’së:
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë Vlerësimin e Popullsisë për vitin 2021.
Vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard, që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi. Kjo, për faktin se në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve (periudhë dhjetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi, komune a vendbanimi.
Të dhënat vjetore statistikore për popullsinë (demografinë) janë themelore për studimin dhe përcaktimin e një game të gjerë analizash. Sidomos, analiza për çështjet sociale dhe ekonomike në nivele të caktuara: komunale, kombëtare dhe rajonale. Të dhënat për popullsinë përbëjnë komponentin thelbësor për vlerësimet e llogarive kombëtare, punësimit dhe çështjeve të tjera socio – ekonomike.
Gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 391 persona. Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 7 353 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 4 122 persona; dhe kanë emigruar 42 728 persona.
Kurse, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2021 ishte (-38 606 banorë). Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për (-24 215 banorë).
Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1,773. 971 banorë rezidentë.