Avioni i paraparë për bartjen e haxhilerëve kosovarë është vonuar për shkak të një defekti.
BIK përmes një postimi ka njoftuar se fluturimi ka pësuar defekt teknik, gjë që i ka pamundësuar arritjen në Prishtinë dhe si rezultat i këtij defekti besimtarët ende janë në ambientet e aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, shkruan Jepi zë.
Postimi i plotë nga BIK:
Deklaratë për opinion
Avioni i paraparë për t’i dërguar sot në orët e para të mëngjesit grupin e dytë të besimtarëve tanë në haxh, megjithëqë ishte nisur me kohë drejt Prishtinës për t’i marrë besimtarët tanë, gjatë fluturimit ka pësuar defekt teknik, gjë që i ka pamundësuar arritjen në Prishtinë dhe si rezultat i këtij defekti besimtarët tanë ende janë në ambientet e aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Së bashku me besimtarët tanë, në aeroport janë edhe përgjegjësit e Haxhit nga Drejtoria e Haxhit, të cilët po e përcjellin situatën.
Drejtoria e Haxhit është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë e kontraktuar “Jordan Aviation” që sa më parë të gjejë zgjidhje për nisjen e besimtarëve drejt destinacionit të tyre.
Kërkojmë ndjesë e mirëkuptim nga besimtarët tanë dhe opinioni i gjerë për këtë vonesë të shkaktuar për shkak të defektit në avion rrugës për në Prishtinë, me shpresë që sa më parë të mundësohet udhëtimi i tyre drejt Arabisë Saudite.