Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit në Qeverinë e Shqipërisë, nga Beogradi ka deklaruar se numri i turistëve serbë që e kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2021, është rritur për 110 për qind krahasuar me vitin 2019.
Teksa ka shpalosur potencialet turistike të Shqipërisë gjatë një interviste me shërbimin e Radios Evropa e Lirë në Serbi, Kumbaro ka theksuar se vizitorët serbë në Shqipëri janë hap i rëndësishëm i emancipimit, i cili, sipas saj, nënkupton mendje të hapura.
Kumbaro thekson se kjo është filozofia e re që korrespondon me “Ballkanin e Hapur” dhe se gjithë kjo është rezultat i kësaj nisme.
E pyetur nëse pengesat për zhvillimin e turizmit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë mund të jenë mospajtimet politike rreth Kosovës, Kumbaro tha se nuk ka mospajtime të tilla duke shtuar se “ky është perceptim që vjen nga historia jonë” dhe i cili duhet ndryshuar.
“Më 2021, krahasuar me vitin 2019 ne kemi pasur shtim për 110 për qind të turistëve nga Serbia. Normalisht që fillimisht mendoj që COVID-19 i ka ndryshuar të gjitha itineraret. Në anën tjetër, mos harroni se kemi nisur frymën e “Ballkanit të Hapur”, nëse mund të them kështu, por gjithashtu edhe nismat vitin e kaluar.
Vizitat e shpeshta të personaliteteve nga të tri shtetet kanë krijuar këtë atmosferë të re. Dhe, në sektorë të ndryshëm ne po shohim rezultate të ndryshme. Në turizëm e kemi këtë numër dhe ky trend është duke vazhduar më 2022-ën, sepse në katër muajt e parë të vitit kemi 20 për qind më shumë (turistë) se sa vitin e kaluar.
Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, ministrat anë shkëmbyer vizita, por gjithashtu dy agjencitë kombëtare të turizmit kanë qenë në kontakt dhe jemi të përkushtuar për promovimin e shteteve tona në dy anët. Në këtë moment, blogerët nga Serbia janë duke e vizituar Shqipërinë.
Ata çdo ditë po postojnë fotografi, shërbime, hotele nga Shqipëria në faqet e rrjeteve të tyre sociale, gjë që sjell më shumë ndjekës dhe mendoj se mund të shohim një numër të turistëve serbë që kanë qenë në Shqipëri, kur janë kthyer në Serbi, kanë qenë paksa si ambasadorë, ndoshta edhe duke mos e ditur. Dhe, kjo është ajo që prodhon turizëm, sepse të gjithë e dinë se 70 për qind e turistëve në gjithë botën marrin informata përmes rrjeteve sociale më shumë se përmes kanaleve zyrtare.
Në anën tjetër, përkushtimi ynë për Memorandumin e Mirëkuptimit që së fundi e kemi nënshkruar ndërmjet tri shteteve – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut – është një përkushtim për të forcuar këtë trend, t’i bashkojmë forcat tona.
Mendoj se ajo çfarë duhet bërë nuk është krijimi i një tregu të ri, por ta mbështesim atë ekzistues, sepse sektori privat është më i avancuar se ai politik. Prandaj, kjo është detyra jonë dhe duhet të jemi të mençur dhe t’i përcjellim me këtë trend të ri. Edhe pse ka bisedime politike me Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën, ne të gjitha jemi shtete të vogla, kështu që nuk mund të pretendojmë të krijojmë treg të ndarë të turizmit.
Në këtë drejtim, ne duhet t’i hapim kufijtë tanë dhe të rrisim mundësinë për qarkullimin e turistëve, sikurse zogjtë që qarkullojnë, fluturojnë nga një shtet në një tjetër. Ne po e ndihmojmë ekonominë, po u japim më shumë kënaqshmëri turistëve, po tërheqim turistë nga kombet e largëta si Azia, Australia, Shtetet e Bashkuara, por mbi të gjitha jemi duke krijuar një mendësi të re të emancipimit.
Ky është rezultati më i madh dhe më i rëndësishëm për rajonin tonë. Dhe, mendoj se turizmi nuk mund të kontribuojë vetëm në ekonomi, por gjithashtu për një njohje më të mirë për njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë për këtë emancipim dhe turizmi është një mjet tjetër në tavolinë”, ka thënë ajo në intervistë.