Mbi 900 ankesa kanë dorëzuar qytetarët në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Ky institucion gjatë këtij viti ka rekomanduar suspendimin e mbi 100 policëve, ndërkaq mbi 90 janë të arrestuar.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, tha se edhe këtë vit ka një numër të madh të ankesave për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Edhe këtë vit ka qenë numër relativisht i lartë, prej 1 janarit deri sot kemi pranuar mbi 900 ankesa, të cilat janë trajtuar dhe po trajtohen në departamentet përkatëse në IPK… Janë ankesa për sjellje të ndryshme të policisë, duke filluar prej keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, për keqpërdorim, për marrje të ryshfetit në disa raste, për sjellje të pahijshme, për pakënaqësi në shqiptimin e gjobave në kundërvajtje”, deklaron ai.