Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër votimit të aneks-marrëveshjes së re ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për çështjen e demarkacionit. Megjithatë, kjo parti pritet që gjatë ditës së sotme të marrë vendim përfundimtar për qëndrimin që do ta kenë në seancën e nesërme.
Deputeti i LVV-së, Ali Lajçi, ka thënë për Indeksonline se kjo aneks-marrëveshje është deklaratë politike dhe nuk e obligon Malin e Zi ta votojë në Parlamentin e tyre.
“Në këto kushte është çështje e pabesueshme dhe nuk e garanton vijën e drejt kufitare. Jo, ne nuk e votojmë kështu. Por e kemi një takim prej orës 15:00 do ta shoshitim dhe të shikojmë. Njëherë për njëherë janë këto rrethana e argumente dhe fakte”, ka thënë ai.
Sipas Lajçit, po të ketë të gjetura të reja, të cilat tani janë të deponueshme dhe janë në vija të tjera kufitare, atëherë del e pabesueshme dhe nuk mund të jetë funksionale.
“Nëse edhe Mali i Zi e voton atëherë ka efekte juridike dhe e merr formën e përgjegjësive institucionale”, ka thënë ai.
Ndryshe, partitë e koalicionit (PDK,AAK dhe Nisma) si dhe LDK-ja kanë shprehur qëndrim pro votës së tyre për demarkacionin. Derisa Lista Srpska ende s’ka marrë vendim të prerë sa i përket kësaj çështje.