Skuadra e Dritës nesër luan ndaj Inter Turkut në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet nga ora 20:00, në kuadër të ndeshjes së kthimit të raundit të parë të kualifikimit për UEFA Conference League.
Inter Turku fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 1:0, megjithatë Ardian Nuhiu, trajneri i FC Dritës beson se klubi i tij mund ta kthejë rezultatin dhe të marrë kualifikimin tutje.
“Kam besim të madh se do ta përmbysim rezultatin, e dimë se nuk do të jetë e lehtë, sepse kundërshtari është i fortë. Ftoj tifozët që të vijnë të na mbështesin dhe në fund të festojmë bashkë”, tha fillimisht Ardian Nuhiu.
Trajneri më pas potencoi se e kanë analizuar kundërshtarin dhe tashmë e kanë të qartë se çka duhet të bëjnë nesër në mbrëmje.
“E njohim tani kundërshtarin, kemi mësuar pikët e tyre të dobëta, duhet të jemi më të qetë të barazojmë dhe më pas të kërkojmë golin e avantazhit. Përveç Blakqorit të gjithë janë në dispozicion”.
“Do të kemi futbollistë shumë cilësor në formacion, do të mundohem t’i përzgjedh futbollistët që t’i përshtaten lojës dhe nga ndeshja në ndeshje do të ketë ndryshime të formacionit”, përfundoi ai.