10-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u festua pa miqtë, të cilët mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe pa ata që tani janë drejtues të shteteve mike të Kosovës
Në ceremoninë e jubileut të shpalljes nuk ishte asnjë kryeministër apo president i ndonjë vendi mik (me përjashtim të atyre të Shqipërisë).
Po ashtu munguan edhe personalitete të rëndësishme ndërkombëtare që në të kaluarën kanë luajtur rol të rëndësishëm në çlirimin dhe në pavarësimin e Kosovës.
Deputetë dhe njohës të çështjeve politike në vend thonë se në këtë festë patjetër do të duhej të vinin ndonjëri prej personaliteteve si: ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, ish-kryeministri i Britanisë Tony Blair apo ndërmjetësuesi Marty Ahtisaari.
Kurse mosardhja e vlerësohet si një sinjal se klasa politike në Kosovë nuk vlerësohet nga ndërkombëtarët.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Zëri” se organizmi i jubileut të shpalljes së pavarësisë është shënuar me gabime të shumta.
“Konsideroj se ceremonia e 10-vjetorit të Pavarësisë ka pasur lëshime të mëdha si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë protokollar. Kjo është një vërejtje e madhe për mekanizmat institucionalë për organizimin”, është shprehur Rugova