Mesi i korrikut e gjen Vlorën gati të zbrazët nga turistët. Plazhet e qytetit thuajse janë bosh ndërsa hotelet nuk i kalojnë 50% të kapaciteteve. Për pushuesit shqiptarë në zona të ndryshme çmimet ndryshojnë, por sërish mbeten të shtrenjta.
Për turistët e huaj, çmimet janë të ulëta në krahasim me vendet e tyre, por sërish të larta për Shqipërinë. Vetë menaxherët e hoteleve konfirmojnë se sezoni është i vakët. Çmimet për një natë shkojnë deri në 350 euro.
“Kemi një ndryshim të çmimeve rreth 20- 30% , konkretisht nëse çmimi i një dhome çift shkonte deri në 60 euro sivjet shkon deri në 80 euro. Një dhomë triple shkonte 90 euro sivjet shkon 110 euro. Për sa i përket prenotimeve, vjet në datën 8 korrik nisi fluksi i madh, sivjet jemi duke pritur ende”, sipas tyre.
Për kreun e sektorit hotelier për jugun, Adnand Aliaj prenotimet janë në 50% të pritshmërive. Problematikë mbeten çmimet e larta.
Çmimi i shezlongëve nis nga 500 lekë në zonën e Lungomare për të vijuar me 1 mijë deri 2 mijë lekë, duke u zhvendosur gjatë vijës bregdetare.
Rritja e çmimeve duket se po tkurr kohëzgjatjen e sezonit. Pritshmëritë për muajin korrik janë nën mesatare.