Për dallim nga muajt e kaluar, situata me virusin COVID-19 në korrik ka ndryshuar tërësisht.
Nga afërsisht 100 raste sa kishin rënë, tashmë rastet aktive kanë arritur në 2 mijë e 184. Madje në 24 orët e fundit pati edhe dy persona të vdekur.
Lidhur me përkeqësimin e situatës së përballjes me virusin COVID-19, lajmi.net ka kontaktuar ministrinë e Shëndetësisë.
Nga kjo ministri kanë deklaruar se situata me koronaivrus po përcillet në baza ditore.
Gjithashtu u theksua se të gjitha trupat relevante janë në gatishmëri dhe reagim ndaj COVID-19 në konsultime të vazhdueshme.
Por nga MSH-ja nuk kanë përjashtuar mundësinë e vendosjes së masave të reja antiCOVID.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë theksuar se ndryshimi i masave do të dal nga rekomandimet e ekspertëve.
“Të gjithë trupat relevante në gatishmëri dhe reagim ndaj COVID-19 janë në konsultime të vazhdueshme. Ndryshimi eventual i masave do të dal nga rekomandimet e ekspertëve”, u tha nga MSH.
Po ashtu është thënë se masat aktuale në fuqi, rekomandojnë bartjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe krahas kësaj vaksinimin.
“MSH, u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen, sepse kjo është masa më efektive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes, zhvillimit të formave të rënda të saj dhe vdekjeve”.
Por për vendimin e masave antiCOVID, apo rikthimin e masave të cilat ishin të vendosura më parë për qytetarët e Kosovës, sipas MSH-së varet nga ajo se çfarë rekomandohet nga trupi këshillëdhënës për COVID-19.
“Për masa të reja eventuale përtej atyre që janë në fuqi, varet çka do të rekomandojnë trupi këshillëdhënës për COVID-19 për ekspertët”, theksohet tutje.
Nga ministria përkatëse kanë deklaruar se ka shumë shtete me situatë edhe me të rënduar epidemiologjike, por që nuk kanë ndërmarrë kufizime të mëdha.
“Momentalisht, ka mjaft shtete me situatë më të rënduar epidemiologjike se Kosova, por që nuk kanë ndërmarrë kufizime të mëdha, për shkak se variantet aktuale janë më të buta në aspektin klinik se variantet e fundit të kaluar për shembull, në veçanti Delta që ka qenë mjaftë i ashpër”.
Por ishte vetë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, që javë më parë deklaroi se në rast se situata me koronavirus vazhdon të përkeqësohet do të duhet të vendosen masat e reja antiCOVID.
Duhet përkujtuar që në të shumtën e rasteve kundër masave antiCOVID dolën vetë qytetarët, e sidomos përfaqësuesit e Gastronomisë, të cilët deklaruan se kishin humbje të mëdha si pasojë e mbylljes.
Mbyllja e vendit në karantinim padyshim se kishte ndikuar në ekonominë e vendit, si dhe në humbje të mëdha të vendeve të punës për të rinjtë.
Së fundi në vend u konfirmuan edhe 175 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, ndërsa thuhet se janë testuar 467 persona.