Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se edhe sot i është ndaluar hyrja në Kosovë.
“Sot në mëngjes Albin Kurti më ndaloi të hyj në ambientet e Kosovës pasi dje bëri të njëjtën gjë. Ne në Beograd prej kohësh nuk kemi dyshime se çfarë bën Kurti dhe si sillet. Sjellja e tij ilegale dhe arrogante absolutisht nuk na habit më neve”, tha Petkoviq.
Petkoviq tha se edhe dje i ndodhi e njëjta, duke shtuar se nuk iu dhanë sqarime për këtë edhe pse “e ka paralajmëruar vizitën e tij në rregull dhe në kohë”, raporton Tanjug, transmeton Gazeta Express.
“I bëj thirrje Prishtinës dhe BE-së që t’i thërrasin mendjes nëse mendojnë të vazhdojnë bisedën me Beogradin në Bruksel”, duke shtuar se Beogradi është i gatshëm të bisedojë për “një zgjidhje kompromisi”, por se ai po poshtërohet.