I rremë ka rezultuar alarmi për bombë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, ku po mbahet koncerti i festivalit të tenorit Ramë Lahaj.
Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti .
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme, andaj me urdhër të prokurorit është iniciuar rast Lajmërim apo kallëzim i rremë”, ka deklaruar ajo.
Pas alarmit të rremë koncerti po vazhdon.
Rron Gjinovci ka treguar në një status në Facebook se koncerti ka vazhduar, derisa ka ndarë edhe detaje nga shfaqja.
“Kërcënim me bombë! Rikthimi në sallë mas kontrollës së policisë, Ramë Rame Lahaj për me i mbështet emocionalisht kolegët e tij Erika Grimaldi, Leonardo Caimi dhe Menan Bërveniku, u ngjit nê skenë me nji befasi”, shkroi ai.