Arbnor Ramadani mes lotëve i jep lamtumirën Llapit, mesfushori pritet t’i bashkohet Gjilanit
25/07/2022 22:45
Arbnor Ramadani nuk do të jetë më pjesë e KF Llapit. Ai mes lotëve i ka dhënë lamtumirën sot këtij klubi.
Klubi nga Podujeva ka njoftuar këtë të hënë për largimin e mesfushorit gjilanas pas katër vjetëve
Ramadani zhvilloi në total 116 ndeshje me Llapin, teksa shënoi 16 gola e shtoi 16 asistime.
28-vjeçari ishte një nga futbollistët më të dalluar te Llapi. Ai me këtë skuadër e fitoi dy herë radhazi trofeun e Kupës së Kosovës, si dhe një herë atë të Superkupës së Kosovës
Arbnor Ramadani ka falënderuar kryesinë e klubit të Llapit për besimin dhe korrektësinë, teksa vendimin e tij për t’u larguar e ka cilësuar si shumë të vështirë.
“Faleminderit kryesisë për besimin dhe korrektësinë, veçanërisht trajnerit Tahir Batatina që ishte ndër njerëzit kyç që unë iu bashkova Llapit. Faleminderit gjithë tifozëve për mbështetjen si dhe bashkëlojtarëve të mi për gjitha momentet e bukura që i kaluam së bashku. Sot kam marrur një vendim shumë të vështirë që të largohem nga klubi, por jam krenar për këto vite sa isha këtu dhe me gjitha sukseset e arritura. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen dhe mirëupafshim”, është shprehur ai për faqen zyrtare të klubit.
Kurse, edhe trajneri Tahir Batatina e ka falënderuar ‘Nolin’ për kontributin e dhënë si dhe i ka dëshiruar shumë suksese në klubin e tij të ri ku do ta vazhdojë karrierën.
Gazeta Enigma mëson se mesfushori pritet që t’i bashkohet skuadrës së Gjilanit.