Gazetari nga Shqipëria, Bledi Mane, ka reaguar përsëri pasi ofendoi kosovarët duke thënë se “nuk e përdorin vajin e ullirit”.
Në një prononcim live për Pressing në T7, Mane tha se ka marrë qindra kërcënime pas deklaratës së tij lidhur me kosovarët.
Për më tepër, ai shtoi se nuk e ka ditur që debati do të arrinte deri te nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila reagoi ditën e djeshme.
Ai shtoi se ka thënë që Kosova nuk ka kulinari të mirë, por që sipas tij, nuk e priste që për 24 orë nga të dy anët e kufirit të përfolej aq shumë.
“Deri më tani kam marrë 320 kërcënime dhe e kam vërejtur që kërcënuesit kanë qenë që as nuk dinë të gatuajnë. Kam marr kërcënime që janë anonimë. Në përgjithësi ishin kërcënues që nuk dinë të gatuajnë. Konotacioni i këtij debati nuk ma priste mendja që do të zhvillohej kaq furishëm aq sa të reagojë një nënkryetare e PDK-së, zonja Vlora Çitaku. Më bëri përshtypje se do të kishte një hendek kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Mane.
Mes tjerash, ai shtoi se priste reagime më të matura nga shqiptarët e Kosovës.
“Mendova se Kosova do të ishte më qytetare. Pash që nga ana e Kosovës, ju nuk jeni mbrapa me kërcënimet. Prisja debate nga shefa kuzhinash. Jam shumë i lumtur që gazetarët po merren me një debat kulinarie”, shtoi ai.
Të dielën, Mane u shpreh se “kosovarët nuk e përdorin vajin e ullirit”.
“Ju nuk përdorni vajin e ullirit, ende jeni te pleskavica dhe lakra”, theksonte ai.