Prishtinë- Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të shtunën ka dalë me një qëndrim pas opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me çështjen e Vettingut, duke konsideruar se vlerësimet dhe propozimiet e këtij Komisioni, janë të rëndësishme dhe ofrojnë një platformë orientuese për fuqizimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës përmes mekanizmave të brendshme të gjyqësorit.
Andaj, sikurse Këshilli Gjyqësor që deklaroi se kundërshton të ketë Vetting përmes mekanizmave jashtë gjyqësorit, KPK kundërshton Vetting përmes mekanizmavee jashtë sistemit prokurorial.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka analizuar dhe konsultuar me kujdes Opinionin e Venecias për Konceptdokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. KPK konsideron se vlerësimet dhe propozimet e Komisionit të Venecias janë vërtet të rëndësishme dhe ofrojnë një platformë orientuese për fuqizimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës përmes mekanizmave të brendshme të gjyqësorit”, thuhet në njoftim.
Përmes një komunikate për medie, KPK thotë se opinioni i Venecias spikatë pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar dhe të mbrojtur me Kushtetutën e vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Opinioni i Venecias në mënyrë sistematike dhe duke tërhequr vëmendje në instrumentet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe duke shmangur praktikat e vendeve të tjera, në vlerësimet e dhëna në këtë Opinion, spikatë pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rekomandimet e Komisionit, në mënyrë të përsëritur gjatë tërë Opinionit, bëjnë thirrje për qasje vërtet të kujdesshme sa i përket çdo iniciative, propozimi apo reforme të pamenduar dhe analizuar mirë”, thuhet tutje.
Referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias lidhur me koncept-dokumentin e MD-së për Vetting, KPK vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do i bëjë dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit prokurorial dhe shkakton zvarritje të procedurave.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke iu referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias për Konceptdokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” dhe në frymë të njëjtë me qëndrim e shprehur nga Komisioni i Venecias në Opinion e saj, vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do t’i bëjë dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit prokurorial dhe, rrjedhimisht, do të shkaktojë zvarritje të procedurave, të cilat pashmangshëm do t’ia pamundësojnë qytetarëve të vendit një qasje efektive në drejtësi”, thotë tutje komunikata.
Këshilli fton Ministrinë e Drejtësisë të intensifikojnë dinamikën e punës së përbashkët, për avancimin e reformave të nisura.
“Në vend të një iniciative që rrezikon mbarëvarshmërinë e punës së sistemit prokurorial dhe zhvlerëson tërë punën dhe investimin e bërë në forcimin e sistemit prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës fton Ministrinë e Drejtësisë për intensifikim të dinamikës së punës së përbashkët për avancimin e reformave të nisura, dhe bashkë me këtë, të konceptohen nisma të reja me një qëllim të përbashkët – konsolidimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të vendit”, thuhet tutje.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, riafirmon qëndrimin dhe qasjen, e cila me këtë Opinion të Komisionit të Venecias veçse është përforcuar, se adresimi i sfidave në sistemin prokurorial dhe përmirësimi i vazhdueshëm i performancës, duhet të bëhet me anë të nismave ligjore dhe politikave zhvillimore të koordinuara mirë për t’i fuqizuar edhe më tej mekanizmat e brendshme të verifikimit, llogaridhënies, performancës dhe transparencës. Nismat e panevojshme, të pakoordinuara, me një racionalizim jo të mirëfilltë, të cilat mëtojnë ndërhyrje invazive në punën dhe pavarësinë e sistemit prokurorial nuk do të mbështeten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”, vazhdon komunikata.
KPK thotë se mbetet i përkushtuar të avancojë reformat e nisua në përmirësimin e procedurave rekrutuese për prokurorë, bashkëpunëtorë profesional dhe personel mbështetës, e të tjera.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, pavarësisht një pune dhe dinamike intensive të ndërmarrë në përmirësimin e përgjithshëm të performancës së sistemit prokurorial, mbetet i përkushtuar të avancojë reformat tashmë të nisura në përmirësimin e procedurave rekrutuese për prokurorë, bashkëpunëtorë profesionalë dhe personel mbështetës, rritjen e efikasitetit në menaxhimin dhe administrimin e prokurorive, zgjerimin e përdorimit të sistemeve elektronike dhe të teknologjisë së informacionit në procedura dhe intensifikim të digjitalizimit të sistemit prokurorial, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në punë, si dhe përforcimin e sistemit të disiplinës”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
KPK zotohet se do të vazhdojë të jetë proaktiv dhe se në rrethana të caktuara do të marrë edhe rol udhëheqës, në intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, për zbatimin e suksesshëm të strategjive kombëtare.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, do vazhdojë të jetë proaktiv, në rrethana të caktuara do të marr rrol udhëheqës, në intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, për zbatimin sa më të suksesshëm të strategjive kombëtare, si ajo për sundim të ligjit, apo marrëveshjeve, strategjive dhe zotimeve tjera të marra për të përafruar sistemin ligjor të vendit me standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet tutje.
Po ashtu, KPK thekson se nuk mbështet dhe nuk merr pjesë në grupet punuese për iniciativat për ndryshime kushtetuese, që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë sistemit prokurorial për verifikim dhe kontrolle të integritetit.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk mbështet dhe nuk do të marrë pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë sistemit prokurorial për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të KPK-së, të cilët duhet të jenë përhershëm”, thuhet në njoftim.
“KPK-ja mbetet e përkushtuar dhe bashkëpunuese që ta japë kontributin e vet nëiniciativat ligjore që ka për qëllim forcimin e mëtejmë të mekanizmave të brendshme të verifikimit, performancës, integritetit dhe disiplinës të sistemit prokurorial. Po ashtu, KPK-ja dëshiron të theksojë se për çdo iniciativë ligjore në funksion të fuqizimit të mekanizmave të brendshme, KPK-ja duhet të ketë rol udhëheqës që nga faza e konceptimit, zhvillimit deri në atë të finalizimit të këtyre nismave ligjore”, thotë tutje kjo komunikatë.
Sipas KPK-së, ashtu siç është theksuar në opinionin e Komisionit të Venecias, mund të ndërmerren masa, veprime dhe reforma, të cilat në mënyrë kumulative do ta arrijnë qëllimin për një sistem prokurorial efektiv, llogaridhënës dhe transparent, pa e cenuar pavarësinë e institucionit.
“KPK, ashtu siç është theksuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, konsideron se mund të ndërmerren masa, veprime dhe reforma të cilat në mënyrë komulative do ta arrijnë qëllimin për një sistem prokurorial më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit. KPK-ja, dëshiron ta vë theksin në Opinionin e Komisionit të Venecias që potencon rrezikun e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare, në rast të ndryshimeve Kushtetuese për administrim të procesit të “Vettingut” në sistemin gjyqësor”, thuhet më tej.
Në fund, KPK thotë se propozimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Venecias, do t’i fuzionojë në reformat e nisura në sistemin e drejtësisë.
“Këshilli Prokurorial do të vazhdojë reformën shumëdimensionale, e cila tashmë është reflektuar dhe ka dhënë rezultate të forta në procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj, vlerësimin e performancës së prokurorëve në sistem, avancimin e tyre në instanca më të larta prokuroriale dhe zbatimin e masave disiplinore për të përforcuar llogaridhënien. Këshilli Prokurorial i Kosovës, propozimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Venecias, do t’i fuzionojë në reformat e nisura si draft-dokumentin e Strategjisë së KPK-së, draft-dokumentin e digjitalizimit të prokurorive, si dhe kornizën rregullative, po ashtu në konceptimin e nismave të reja. Me qëllim të koordinimit më efektiv të këtyre nismave brenda institucionit, KPK-ja do të themelojë komisione ad-hoc dhe grupe punuese të cilat në punën e tyre presim mbështetjen e vazhdueshme me ekspertizë nga partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë”, thuhet në fund të këtij qëndrimi të KPK-së. /BetimipërDrejtësi